 Lorik Cana është transferuar te klubi turk Galatasaray, me të cilin ka arritur një marrëveshje 4 vjeçare. Mesfushori kosovar do të përfitojë 2 milionë euro në vit dhe 7500 euro për çdo ndeshje.
Reprezentuesi shqiptar thotë se ky vendim nuk ishte i lehtë, ndërsa arsyeja kryesore për t’u transferuar në ekipin nga Stambolli ishte dëshira për të qenë më afër familjes.Gjiganti turk, Galatasaray e transferoi mesfushorin kosovar të Sunderlandit, Lorik Cana. Këtë e ka konfirmuar klubi nga Stambolli përmes ueb sajtit zyrtar të tij.
"Galatasaray ka arritur një marrëveshje 4 vjeçare me mesfushorin e Sunderlandit, Lorik Cana”, thuhej në ueb sajtin zyrtar të Galatasarayit."Për futbollistin profesionist Lorik Cana, klubit të Sunderlandit do t’i paguhen 4.5 milionë euro. Ndërsa Cana do të përfitojë 2 milionë euro në vit dhe 7500 euro për çdo ndeshje”, thuhet në njoftimin e klubit turk.
Vetë Cana ka thënë se vendimi për t’u larguar nga Sunderland nuk ishte i lehtë.Në një intervistë dhënë ueb sajtit zyrtar të Sunderlandit, reprezentuesi shqiptar ka thënë se ka zgjedhur klubin turk në mënyrë që të luajë në garat europiane . Megjithatë, ish-kapiteni i Sunderlandit ka pranuar se arsyeja kryesore për t’u transferuar në ekipin nga Stambolli ishte dëshira për të qenë më afër familjes.
Ai ka thënë se nuk do ta harrojë asnjëherë periudhën e kaluar në Sunderland.
"Që nga dita e parë kur erdha këtu, kam pasur një storie të jashtëzakonshme me Sunderlandin. E kam ditur se do të gjej një klub të tillë dhe përkrahje për ta zhvilluar lojën time. Njerëzit këtu e duan klubin e tyre, ata kanë pasion dhe identitet të duhur”, tha Cana.
"Kam dhënë gjithçka për klubin dhe gjithmonë do ta mbaj në kujtesën time. Më është ofruar mundësia të luaj në gara europiane dhe Ligën e Kampionëve dhe vecanarisht të jem më afër familjes sime. Ky nuk ishte një vendim i lehtë për mua dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë vendimin tim”, theksoi Cana i cili falenderoi të gjithë në Sunderland - trajnerët, stafin mjekësor, zyrtarët e klubit, bashkëlojtarët dhe tifozët.
"Uroj që klubi të arrijë gjithcka që e meriton dhe të vazhdojë të shkojë lart e më lart”, përfundoi Cana.
Ai pati 35 paraqitje me Sunderlandin nën urdhërat e trajnerit, Steve Bruce. Ky i fundit ka falenderuar kosovarin për kontributin e dhënë sezonin e kaluar.
"Stili i lojës së Lorikut dhe sjelljet e tij e kanë bërë atë një zgjedhje të natyrshme si kapiten sezonin e kaluar, por kur u rikthye për përgatitjet e sezonit të ri ishte e qartë se ai kishte dëshirë të largohet”, tha Bruce.
"Turqia është më afër Kosovës, prej nga është familja e tij, kështu që do ta ketë më lehtë t’i vizitojë ata. Mendoj se ky është faktori kryesor për largimin e tij. Ne duam ta falenderojmë Lorikun për të gjithë kohën e tij këtu dhe i urojmë fatin më të mirë për të ardhmen”, përfundoi Bruce.
Ekipi i ri i Canës, Galatasaray, është një nga klubet më të vjetra në Turqi, i themeluar në vitin 1905. Presidenti i parë i këtij klubi është Ali Sami Yen (emrin e të cilit e mban edhe stadiumi i klubit), i cili ishte djali i rilindasit të njohur shqiptar, Sami Frashëri.
Galatasaray ka fituar 17 tituj në Turqi, ndërsa në vitin 2000 triumfoi në Kupën UEFA dhe UEFA Super Cup, duke qenë klubi i vetëm turk që ka fituar një trofe europian.
|