 Dy motra në Britani kanë mundur parashikimet e shkencëtarëve për lindjet e rralla me moton "një në një milion”, duke lindur të dyja nga dy fëmijë, një të bardhë e një të zi. Sonia dhe Sharon Harris, nëna të racave të përziera, kanë pasur të dyja partnerë të bardhë për fëmijët e tyre.
Dy djemtë e Sonias, Cameron dhe Kyle Bradley, nga pesë vjeç janë binjakë, por njëri ka lëkurë të zezë, flokë kaçurrela të errëta, ndërsa tjetri ka lëkurë shumë të bardhë dhe është biond. Në mënyrë të pabesueshme këto karakteristika i kanë edhe kushërirat e tyre, Kayleigh, pesë vjeçe dhe Paige, shtatë vjeçe.
Ato ngjajnë shumë në tipare, por njëra ka lëkurë dhe flokë të zinj, ndërsa tjetra lëkurë të bardhë dhe flokë të verdhë. Sonia, 40 vjeçe nga Erdington, Britani, tha se "Isha vërtet e shokuar kur pashë djemtë pas lindjes. Cameron doli i pari, por pas tij, pashë një trup të bardhë dhe këmbë të bardha”. Ajo i kishte kërkuar shpjegim mjekëve dhe ata i ishin përgjigjur se kjo gjë është e rrallë, por ndodh. Njerëzit fillimisht nuk e kuptojnë se ata janë binjakë, por kur ua shpjegojmë, fillojnë të dallojnë ngjashmërinë mes tyre. Sharon, 35 vjeçe nga Birmingami, tha se "kur lindi Kayleigh, mjekët ia vunë menjëherë asaj dhe të atit në krahë. Ajo kishte lëkurë të bardhë, flokë të verdhë e sy të kaltër. Nëse nuk do ta kisha parë menjëherë pas lindjes, do të kisha menduar se më kanë dhënë fëmijën e gabuar”, tha ajo. |