 Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe Albert Bunjaku do të jenë ‘ambasadorë’ të Kosovës në botërorin‘Afrika e Jugut 2010’. Treshja kosovare do t’i mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së Zvicrës, derisa synim kryesor i tyre është ta kalojnë fazën e grupeve.
Ndonëse përfaqësuesja e Kosovës nuk është pjesëmarrëse e Kampionatit botëror, megjithatë shteti më i ri në botë ka tre ‘ambasadorë’ të vet që do ta përfaqësojnë në ‘Afrikën e Jugut 2010’.
Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe Albert Bunjaku, të tre këta futbollistë me prejardhje nga Kosova, do të jenë pjesëmarrës në Kampionatin botëror, në të cilin eveniment do t’i mbrojnë ngjyrat e reprezentacionit të Zvicrës.Valon Behrami-Ende pa e publikuar listën përfundimtare me futbollistët që do t’i mbrojnë ngjyrat e Zvicrës në këtë Botëror, selektori i helvetikëve, Ottmar Hitzfeld, pati thënë se Behrami 100 për qind do të jetë pjesë e ekipit të tij. Atëherë, emri i 25 vjeçarit ishte i pari që Hitzfeld kishte konfirmuar se do ta përfshij në ekipin zviceran.
Andaj, Behrami ka thënë se do të bëjë çmos për ta arsyetuar besimin që ia ka dhënë Hitzfeld, duke besuar se do t’ia del të paraqitet sa më mirë në ‘Afrikën e Jugut 2010’.
Mesfushori i West Hamit mendon edhe për ekipin, për të cilin shpreson që kësaj radhe të korrë sukses edhe më të madh sesa në Botërorin e vitit 2006.
"Një Botëror i mirë do të thoshte të shkojmë më larg sesa që bëmë në Gjermania 2006. Katër vjet më parë, ne përfunduam në krye të grupit, përpara Francës e Koresë së Jugut, por humbëm në turnin e dytë”, ka thënë Behrami.
Ish futbollisti i Lazios dëshiron ta bëjë Zvicrën të ndihet krenare në këtë Botëror. "Ne jemi një vend i vogël. Ta kalojmë grupin do të ishte një gjë e madhe”, ka përfunduar Behrami.
Xherdan Shaqiri -Në mesin e 23 futbollistëve të ftuar në ekipin e Hitzfeldit, një vend ia kishte siguruar edhe talentit kosovar Xherdan Shaqirit, falë paraqitjeve të shkëlqyeshme që i pati gjatë gjithë sezonit me ekipin e tij Bazel në kampionatin zviceran.
Shaqiri me Bazelin ishte shpallur kampion i Zvicrës dhe kishte fituar Kupën shtetërore. Përfshirja e 18 vjeçarit në ekipin helvetik, nga mediat zvicerane ishte vlerësuar si befasia e listës s Hitzfeldit.
Vetë Shaqiri, në një intervistë për gazetën Express, ka treguar se as që kishte pritur se do të ftohej nga seleksionuesi i Zvicrës. "Nuk e kam pritur se do të ftohem. Tash synoj që të tregoj veten në përgatitje dhe gradualisht të zë vend në formacionin bazë të skuadrës”, ka thënë Shaqiri.
Zvicra bën pjesë në Grupin H së bashku me kampionin e Evropës, Spanjën, Hondurasin dhe Kilin. Sikurse Behrami, ashtu edhe Shaqiri synon që me helvetikët ta kalojë fazën e grupeve.
"Në Kampionatin botëror presim me pas sukses. Kemi futbollistë të mirë në skuadër dhe presim që në Grup të dalim të dytë, pasi Spanja ka një ekip shumë të fortë”, deklaroi Shaqiri.
Albert Bunjaku
Kosovari i tretë që do të luajë me Zvicrën në Botëror është Albert Bunjaku. Sulmuesi gjilanas pati një stinor të shkëlqyeshëm në Bundesligën gjermane, duke i realizuar 12 gola dhe ishte më meritori që skuadra e tij, Nurnberg, e siguroi mbijetesën.
Mirëpo, mungesa e përvojës në ndeshje ndërkombëtare kishte bërë që Hitzfeld fillimisht të mos e ftojë në ekipin zviceran, duke e lënë 26 vjeçarin në listën e lojtarëve rezervë.
Mirëpo, gjatë stërvitjeve të ekipit, sulmuesi Marco Streller pësoi një lëndim që e la jashtë Botërorit dhe Hitzfeld sulmuesin e Bazelit e zëvendësoi me Bunjakun.
"Unë kisha vendosur të shkoj në Turqi me familjen për pushime. Por, gruaja ime më kupton, pasi ka qenë vendim i duhur që kam anuluar udhëtimin për t’u bashkuar me skuadrën”, ka thënë Bunjaku.
"Jam i lumtur që jam këtu, por me vjen keq për Streller i cili ka pasur një sezon të mrekullueshëm dhe të përfundosh kështu është shumë keq. Unë tani do ta kem shansin tim dhe do të mundohem ta shfrytëzoj”, ka shtuar 26 vjeçari, i cili deri para një viti ka luajtur në Ligën e Tretë gjermane me RW Erfurtin.
Numri i shqiptarëve në reprezentacionin zviceran ka mundur të jetë edhe më i madh, por një lëndim që e kishte pësuar mesfushori i Parmës, Blerim Xhemaili, bëri që ky i fundit të mbetet jashtë planeve të Ottmar Hitzfeldit.
Behrami i dyshimtë për lojën e parë
Paraqitja e Valon Behramit në ndeshjen e parë të kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010 është vënë në dyshim. Përfaqësuesi zviceran ka stërvitur të mërkurën me ekipin pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen miqësore me Italinë, por 25 vjeçari nuk ka mundur të vrapojë. Për këtë futbollisti kosovar mund të mbetet jashtë ekipit, në ndeshjen e parë kundër kampionit të Evropës, Spanja, në Durban, e cila do të zhvillohet më 16 qershor (të mërkurën). "Nëse Valoni nuk do të mund të stërvitë 100 për qind deri të dielën, atëherë ai nuk do të luajë në ndeshjen e parë”, ka thënë selektori i Zvicrës, gjermani Ottmar Hitzfeld. Behramin e kanë përshkuar lëndimet e njëpasnjëshme, që prej grumbullimit të tij me ekipin helvetik. Por, mjekët e ekipit kanë siguruar se ai mund të jetë i gatshëm për këtë garë . Katër vjet më parë, në Botërorin 2006 ai kishte luajtur vetëm tre minuta, pasi që kishte pësuar lëndim në kampionatin që ishte mbajtur në Gjermani. |