 Në kohën kur po zvogëlohet numri i të infektuarve të rinj nga virusi H1N1, ndërsa po rriten rezervat e vaksinave të papërdorura kundër sëmundjes, gjithnjë e tepër njerëz mbarë botën e parashtrojnë pyetjen se ku u zhduk gripi A i njohur si gripi o derrave, njofton BBC.
Televizioni britanik përkujton se Këshilli i Evropës vendosi të zbatojë hetim lidhur me sjelljen ndaj pandemisë së gripit A, pas akuzave se asnjëherë nuk ka pasur pandemi të sëmundjes dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ndoshta është nën ndikim më të madh të industrisë farmaceutike.
Menjëherë pas publikimit të informatave të para për paraqitjen e gripit A në prill të vitit 2009, OBSH filloi aksion të madh, për shkak se që nga koha e epidemive të SARS-it dhe gripit të shpendëve, nëpunësit e saj përgatiteshin për virus të ri vdekjeprurës, njofton BBCja.
Sipas epidemiologut gjerman Uollfgang Vodark, është e çuditshme se si OBSH-ja filloi të përgatitet për ballafaqim me pandeminë e gripit A, menjëherë pas zbulimit të disa mijë të infektuarve nga virusi në një qytet 20 milionësh, siç është Meksiko Siti.
"Atë që e përjetuam në Meksiko Siti ishte grip tejet i lehtë, i cili nuk mori jetën e një numri më të madh të njerëzve se gripi i zakonshëm sezonal”, thotë Vodark, duke vlerësuar se është shumë e çuditshme që një grip tejet i lehtë, i cili përhapej shumë shpejtë, menjëherë u shpall për pandemi.
BBC përkujton se sipas definicionit më të ri të OBSH-së pandemia përcaktohet në bazë të shpejtësisë së zgjerimit të sëmundjes, e jo seriozitetit të tij. Në bazë të definicionit të këtillë më 11 qershor të vitit 2009 OBSH-ja shpalli se bota ndodhet në pragun e pandemisë së gripit A.
Pas kësaj, vendet mbarë botën filluan me zbatimin e planeve për ballafaqim me pandeminë, duke shpenzuar të holla nga buxhetet e tyre shëndetësore për vaksinë e cila nuk nevojitej, pohon BBC-ja.
Analisti dhe eksperti financiar zviceran për punën e kompanive farmaceutike Kristof Egman vlerëson se duke iu falënderuar frikës nga gripi A industria farmaceutike realizoi përfitime të rëndësishme.
Ai theksoi se kompania farmaceutike zvicerane "Novartis” në tremujorin e fundit të vitit të kaluar nga shitja e vaksinave kundër gripit ka fituar 1,4 miliardë dollarë, që është pothuajse një miliardë dollarë më shumë në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2008.
"Pothuajse e gjithë kjo shumë është përfituar nga shitja e vaksinave kundër virusit H1N1″, thotë Egman. Sipas tij, kompanive farmaceutike u nevojiten pacientë për shkak se nga ta fitojnë para, madje për këtë arsye aksionarët e tyre kanë interesa tejet më të ndryshme nga ata të personelit shëndetësor.
Bi-Bi-Si përkujton se në disa vitet e fundit OBSH firmosi marrëveshje partnere me disa kompani farmaceutike, përfaqësuesit e të cilave janë të angazhuar si këshilltarë në këtë organizatë të Kombeve të Bashkuara. OBSH paralajmëroi se do të zbatojë hetim lidhur me gjithë rastin, por madje pasi do të shpallet fund i pandemisë së gripit A.
Në fillim të këtij muaji OBSH njoftoi se gjatë javës së ardhshme do të mbahet takim i komitetit të ekspertëve të Organizatës në të cilin do të vendoset nëse do të shpallet fund i pandemisë së sëmundjes, duke pasur parasysh se gjithnjë e më shumë po zvogëlohet numri i të infektuarve.
Si trup udhëheqës botëror për shëndetësi, OBSH herët ose më vonë do të duhet të shpjegojë se si saktësisht është sjellur në lidhje me gripin A, për shkak se në të kundërtën kur rruga e ardhshme do të vijë deri te pandemia e kësaj sëmundje, atëherë ndoshta këshillat e saj nuk do të kuptohen seriozisht, përfundon Bi-Bi-Si-ja. |