"Google” na përgjon. Ai ndjek dhe regjistron lëvizjet tona në rrjet.
Sheh atë që kërkojmë, atë që lexojmë apo shohim. E di se ku jemi. I njeh
interesat tona, madje edhe ato që ne duam t’i mbajmë të fshehura.
Kontrollon përmbajtjen dhe destinacionin e e-mail- eve.
Ndoshta pak veta e dinë, dikush dyshon dhe pothuajse të gjithë e
injorojnë një fakt të tillë, por e vërteta është pikërisht kështu:
"Google” na përgjon, pastaj na skedon, duke e ruajtur informacionin që
na përket në një bazë të dhënash për rreth një vit e gjysmë. Tetë
navigues në dhjetë që përdorin internetin përfundojnë në databazën e
"Google”-it.
Sa më shumë arrin të na njohë, aq më shumë do të jetë
efikas informacioni që do të gjejmë në sajtet që vizitojmë. Për gjenitë e
marketingut është thjesht "bahaviour advertising”, publicitet i
personalizuar. Përkundrazi, mbrojtësit e privatësisë përdorin një tjetër
term: profiling, analizimin e të dhënave të përdoruesve. Të dhëna
mbledhin të gjithë operatorët më të mëdhenj të uebit, por asnjë nuk e
bën në mënyrë të tillë siç e bën gjigandi i "Mountain View”. Mirëpo sa
informacion arrin të grumbullojë kolosi i rrjetit?
Duart në rrjet
Sipas një kërkimi të Universitetit kalifornian të Berkley, "Google” (me
23.6 miliardë dollarë xhiro vjetore në 2009-n) është në gjendje të
kontrollojë dhe përgjojë lëvizjet e atyre që përdorin internetin në
masën 88.4 për qind. Këtë e bën sidomos përmes sajteve kult të tij, si
motori i kërkimit, shërbimi i postës elektronike (gmail.com), "Youtube”,
"Google Maps”, "Picasa”.
Por këtë e bën edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, falë software-ve
falas që përdoren nga miliona blogje, administratorë sajtesh apo
kompanish, për shembull, "Google Analystics”, aplikacioni që na lejon të
shohim "trafikun” e një portali, apo "Adsense”, shërbimi i lajmërimeve
publicitare. Rezultati? Baza e të dhënave (databaza) e "Google”-it është
më e madhja që mund të ekzistojë sot, por edhe ajo që përmban numrin më
të madh të informacioneve për një përdorues të vetëm. Objektivisht
është e vështirë të navigosh pa përfunduar më parë në atë që për shumë
njerëz është thjesht një motor kërkimi i shpejtë, intuitiv, me moton
siguruese "nuk jam i keq”. Slogani u zgjodh personalisht nga dy
themeluesit, ish-studentët e Stanfordit, Sergey Brin dhe Larry Page.
"Google Inc” blen shoqëri, rrit shërbimet dhe duket se po na imponohet
pak nga pak si sporteli i vetëm i nevojave tona online. Tani është edhe
në telefona. Me "Admobile” po pushton sektorin e aplikacioneve
publicitare për celularët. "Android”, sistemi i tij operativ që mundëson
akses të shpejtë me internetin, përdoret një në tre telefona në SHBA.
Por paratë "Google Inc” i bën gjithmonë në të njëjtën mënyrë: duke
shitur publicitetin.
Gjithmonë të gjurmuar
E zëmë se navigoni për dhjetë minuta në faqen e internetit të
"Repubblica”-s. Lexoni një artikull që flet për Berluskonin, pastaj një
lajm për kalimin e Murinjos te Reali i Madridit, pastaj në një faqe për
shitjen e makinave, një intervistë të regjisorit James Cameron, pastaj
kontrolloni llogarinë tuaj bankare dhe i dërgoni një mesazh mikut tuaj
në "Facebook”.
Në një tjetër kompjuter, i pajisur me një kompjuter në gjendje të bëjë
"profilin”, mund të shihje çdo lëvizje që është bërë me syrin e
"Google”-it. Rezultati? Numri 4344222, identifikues i browser-it
(software i navigimit në këtë rast ishte Explorer) ishte i lidhur me
emrin dhe mbiemrin tonë, të marrë në momentin e hyrjes sonë në
"Facebook”. Pastaj një listë e plotë fjalësh: Berlusconi, Repubblica, e
majta, politika, opozita, banka (dhe emri i saj), Inter, Mourinho, Real
Madrid, futboll, sport, film, kinema, Avatar, 3D, Cameron, automobil
(dhe emri i makinës që ne kishim klikuar më shpesh). Të gjitha të
klasifikuara sipas rëndësisë. "‘Google’ i personalizon lajmërimet në
bazë të interesave tona reale. Ja përse publiciteti nuk është më një
telash, por bëhet i domosdoshëm dhe përfitues për ata që e përdorin. Për
këtë arsye, një përdorues që navigon zakonisht në sajtet e internetit
të makinave, do të gjejë të përhapura kudo lajmërime për shitjen e
makinave, madje edhe në portalet që nuk kanë lidhje fare me këtë
sektor”, tregon një ekspert i sigurisë së internetit.
Kështu, teknikisht "Google” është një fabrikë gjigande publiciteti që ka
arritur të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e "tragetit”, atë
për të cilën breza të tërë shitësish nuk kanë mundur të gjejnë një
zgjidhje. Megjithatë, gjithçka në kurriz të privatësisë tonë. "Është
çmimi që paguajmë për produktet e shtrenjta që ‘Google’ i shpërndan
falas. Në fakt, me navigimin ofrojmë të dhëna personale dhe shumë
delikate që kanë lidhje, për shembull, me orientimin tonë seksual,
shëndetin, besimin, që edhe shërbimet sekrete mund të mos i dinë”. Me
pak fjalë jemi të gjithë nën vëzhgim 24 orë në 24.
Mbrojtja
Kompania e "Mountain View”, shoqëria me reputacionin më të mirë në botë
sipas revistës amerikane "Forbes”, nuk mendon se e meriton të quhet një
"Big Brother” gjigand. "Ne nuk spiunojmë askënd. Është e vërtetë që
regjistrojmë navigimin e përdoruesve për të krijuar një përzgjedhje të
personalizuar të kategorive të interesit, por gjithçka bëhet në mënyrë
anonime. Profilet shoqërohen me një kod numerik, jo me emër dhe mbiemër,
siç tregohet në kategorinë "privacy” të sajtit tonë. Pastaj, nëse ke
dëshirë, mund të vendosësh ta çaktivizosh shërbimin me programe që
shkarkohen në internet, përmes të cilave mund të bllokosh të dhënat e
tua”, tregon Marco Panciri, një ekspert i "Google”-it për sigurinë.
Por e gjitha kjo është në duart e përdoruesit, dhe ata që nuk janë
ekspertë, do e kenë të vështirë t’i përballojnë eksperimente të tilla.
Nga ana tjetër, "Google” nuk kërkon kurrë mendim për mbledhjen e të
dhënave. Thjesht e bën dhe kaq. Një tjetër pikë e dobët është siguria
për anonimatin. Siç u pa, të zbuloje identitetin e dikujt që gjatë
navigimit hyn në postën e tij elektronike apo në "Facebook”, është shumë
e thjeshtë. "Kompania jonë përpiqet vazhdimisht që profilet të
qëndrojnë anonimë, të ndarë nga account-et e regjistruara. Nuk bëjmë
kurrë kryqëzimin e të dhënave”, kujton Pancini. Por lind pyetja: Kush i
kontrollon kontrollorët?
Dyshimet
Në internet ka shpërthyer biznesi i "ndjekjes”. Bazat e të dhënave
shndërrohen në "mall të çmuar” për ata që veprojnë në sektorë të tillë
si, për shembull, publiciteti online që zhvillon një xhiro vjetore prej
23 miliardë dollarësh. Një hetim i "Wall Street Journal” tregon se, duke
naviguar në 50 sajtet më popullore në SHBA, e gjen veten me kompjuterin
të sulmuar nga 3180 fajle specifikë për "profilin”.
Mes tyre "Cookies”, "Flashcookies” dhe "Bacon:, që janë software të
padukshëm, në disa raste në gjendje "të stilojnë” moshën, seksin, kodin
postar, pagën, gjendjen civile, gjendjen shëndetësore të përdoruesve.
Spiunë dixhitalë të përdorur mbi të gjitha nga "Google”, "Microsoft” dhe
"Quantcast corporation”, por edhe nga një pafundësi kompanish të vogla
që e kanë nuhatur këtë biznes dhe janë specializuar në mbledhjen dhe
shitjen e sekreteve tona me një kapacitet prej 50-100 mijë profile. Një
treg ku qarkullojnë miliarda dollarë. Jo rastësisht një raport i
"Privacy International” (organizata jofitimprurëse që merret me
monitorimin e sulmeve ndaj privatësisë, të bëra prej kompanive dhe
qeverisë), në vitin 2007 e vendoste "Google”-in në vendin e parë mes të
këqijve të internetit.
"Nuk kërkon autorizimin për trajtimin e të dhënave, ka akses ndaj
informacioneve personale, si puna, dëshirat, numrat e telefonit. Për më
tepër, nuk tregon kurrë se për sa kohë ruhen këto informacione”,
shkruhej në raportin e tre viteve më parë, që "Google” nuk e
përgënjeshtroi kurrë. Edhe autoritetet ndërkombëtare po bëhen gjithmonë e
më të përgjegjshme për këtë problem. Në SHBA, Komisioni Federal për
Tregtinë ka propozuar t’i detyrojë hartuesit e browser-ave të fusin
mekanizma bllokimi për të dhënat personale. Të thjeshtë, intuitivë dhe
të lehtë për t’u aktivizuar. Në Kanada dhe Australi komisionet
parlamentare për privatësinë kanë nisur hetime për "Google”-in. Në
Gjermani qeveria po vlerëson nëse duhet apo jo ta bllokojë "Analytics”.
Vërtet "Google” i përdor informacionet e përdoruesve vetëm për qëllime
promocionale, por ç’mund të ndodhë nëse ato përfundojnë në duar të
gabuara?
Lidhje të rrezikshme
"Google is in bed with CIA”, shkroi në vitin 2006 ish-spiuni Robert
David Steel, duke alarmuar komunitetin e internetit. Steel sapo kishte
braktisur detyrën si rekrutues klandestin për llogari të CIA-s. Akuzoi,
madje akuzon edhe sot, se "Google” ndan informacione private me
shërbimet sekrete amerikane. Steel jep edhe një emër: Risk Steinheiser,
përgjegjës i zyrës së kërkimit dhe zhvillimit te kompania "Google”.
Është pikërisht ai njeriu i lidhjes me sekretet. Ky raport "Google”-CIA,
sipas asaj që thotë Steele, ka lindur në vitin 1998. "Google” sapo
ishte krijuar dhe duke qenë se ishte në vështirësi ekonomike, kishte
marrë financime nga CIA. Por shkëmbimet nuk përfundojnë këtu.
Në 2004-n Rob Painter, drejtor i repartit të teknologjive INQ-Tel, një
komani që zhvillon teknologji për llogari të CIA-s, u bë në një mënyrë
të çuditshme menaxher i përgjithshëm i "Google”. "Na përgjon të
gjithëve, pavarësisht reputacionit të mirë që ka marrë opinioni publik.
Për fat të keq, nuk do të gjeni asnjë tjetër që të flasë për këtë.
Gjithçka që do të gjeni, do të jenë pyetje pa përgjigje”, thotë ai. E në
fakt pyetje të çuditshme të vijnë menjëherë ndër mend: Përse "Google” i
ka shitur kohët e fundit disa servera CIA-s dhe Agjencisë Kombëtare të
Sigurisë? Për më tepër, përse u ka dhënë shërbimeve sekrete amerikane
"Intellipedia” një software që lejon të administrosh dhe konsultosh
përmes internetit një bazë të madhe të dhënash e që përdoret nga spiunët
e gjithë botës? Nga "Mountain View” vijnë vetëm përgjigje
sipërfaqësore. (shqip)
Downloadoni dhe instaloni Toolbarin më të mirë shqiptar. Përmbajte të ndryshme : Të gjithaTVshqiptare LIVE, VIP Shpija e Kosoves LIVE, Big Brother Albania 4 LIVE, Video lajme, Facebook, Radio Shqiptare LIVE, Seriale dhe humore me të reja!