 Rastet e para të paraqitjes së pjatave fluturuese - ose objekteve të paidentifikuara fluturuese (UFO) - u shënuan diku para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,
kur pilotët e fuqive aleate pohonin se gjatë fluturimeve të tyre në territorin e Gjermanisë naziste vazhdimisht përcilleshin nga disa objekte të paidentifikuara fluturuese në formë të topthave të zjarrtë. Ata këta toptha të zjarrtë i quajtën - "foo fighter"
Fenomen natyror? Pjellë e imagjinatës njerëzore apo realitet?! Është shumë vështirë të japësh ndonjë përgjigje precize në këto pyetje, për shumë arsye, sepse çdo grup që përkrah njërën prej këtyre mendimeve apo teorive ka argumentet dhe kundër-argumentet e tij: pro ose kundër. Çështja e ekzistencës apo ekzistencës së pjatave fluturuese është mjaft e ndjeshme dhe delikate dhe kërkon një trajtim serioz, sepse është e përcjellë me shumë polarizime, kundërthënie dhe mospajtime të theksuara ndër qarqe shkencore.
Prandaj të thuash diçka për këtë çështje është njësoj sikur të ecësh në teh të shpatës. Dihet mirë se shkenca materialiste nuk pranon ekzistencën e asgjëje që nuk preket, nuk shihet e as nuk dëgjohet me shqisa, por sa mund të jetë ky vlerësim real kur dihet se në këtë gjithësi (atë që na rrethon) ka shumë gjëra, të cilat as nuk i shohim as nuk i prekim, por jemi të sigurt se ato ekzistojnë.
Rastet e para të paraqitjes së pjatave fluturuese - ose objekteve të paidentifikuara fluturuese (UFO) - u shënuan diku para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur pilotët e fuqive aleate pohonin se gjatë fluturimeve të tyre në territorin e Gjermanisë naziste vazhdimisht përcilleshin nga disa objekte të paidentifikuara fluturuese në formë të topthave të zjarrtë. Ata këta toptha të zjarrtë i quajtën "foo fighter".
Në të shumtën e rasteve këta toptha (disqe) të zjarrtë çrregullonin sistemet e aparaturave komanduese në aeroplanë, kështu që disa konstatuan se këto fluturake ishin "arma psikologjike gjermane" e paralajmëruar, e cila do të duhej t'i shpërqendronte dhe t'i frikësonte pilotët e fuqive aleate. Qeveria amerikane e hulumtoi mirë këtë dukuri dhe pasi nuk arriti të konstatojë diçka konkretisht rreth saj, u detyrua ta shpallë këtë si rezultat të histerisë masive. Sidoqoftë, enigma e topthave të zjarrtë ka mbetur e pazbuluar sot e kësaj dite. Disa ende mendojnë se ata toptha të zjarrtë ishin fluturaket sekrete gjermane.
Sipas pohimeve të Rudolf Schrieverit, inxhinierit të famshëm nazist të aeronautikës, në vitet 1941 dhe 1942 ai së bashku me kolegun e tij Habermalin kishin punuar në projektin sekret "Pjata" - "Teller". Fluturakja e tij në formë pjate në fillim të vitit 1945 ishte e gatshme për testim, mirëpo përparimi i fuqive aleate pengoi dhe stopoi këto eksperimente, kështu që fluturakja me gjithë planin e saj u shkatërrua nga vetë gjermanët, vetëm që të mos bjerë në dorë të fuqive aleate. Vlen të theksohet se as amerikanët as anglezët e as rusët nuk mundën të zbulojnë deri në fund planet sekrete gjermane lidhur me fluturaket dhe armët sekrete psikologjike. Siç u konstatua edhe në fillim, për sa i përket çështjes së pjatave fluturuese, ekzistojnë tri mendime - teori të ndryshme.
Grupi i parë mendon se nuk kemi të bëjmë me kurrfarë pjatash fluturuese, por me dukuri natyrore të shkaktuara nga çrregullimet e ndryshme në atmosferë. Ata pohojnë se në shtresat e larta të atmosferës së Tokës, në stratosferë dhe në jonosferë, shpeshherë shfaqen dukuri të pashpjegueshme natyrore si: reflektime dritash dhe ngjyrash të ndryshme, të cilat në shkencën e fizikës quhen mashtrime optike.
Njëri prej atyre që e përkrahin këtë ide është edhe kozmonauti sovjetik-rus Jurij Grecko, i cili bëri dy qëndrime të gjata në hapësirë për të studiuar këtë fenomen; njëherë 30 ditë, e herën e dytë 96 ditë. Ai tërë këtë pluhur dhe histeri që është ngritur rreth "pjatave fluturuese"e quan "sensacionalizëm gazetaresk", duke theksuar se nuk bëhet fjalë për pjata fluturuese, por kryesisht kemi të bëjmë me dukuri natyrore dhe me reflektime dritash, të cilat shkenca herët a vonë do t'i sqarojë.
Grupi i dytë me ngulm pohon se "pjatat fluturuese" s'janë asgjë më tepër se pjellë e imagjinatës njerëzore. Këtë mendim të tyre ata e argumentojnë me faktin se njeriu nga vetë natyra e tij është i prirë që t'i zmadhojë gjërat dhe t'i sensacionalizojë ato. Këtu, thonë ata, është edhe çështja e afirmimit dhe dalja nga anonimati i disa individëve, e shpeshherë gjërat, sipas tyre, ndërlidhen edhe me halucinacione dhe me çrregullime psiko-fizike të personave që pretendojnë se kanë pasur kontakte të dorës së parë me pjatat fluturuese. Pra, teoria mbështetet në faktin që njerëzit të shtyrë nga dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes, mund të shpikin lajme sensacionale, madje edhe duke i besuar vetë.
Ndërsa grupi i tretë, i cili qëndron pas asaj se pjatat fluturuese janë një realitet i pamohueshëm, e argumenton këtë me dëshmitë e shumta autentike të personave seriozë e me gjendje psiko-fizike të qëndrueshme, të cilët nuk shkojnë aq larg sa të trillojnë se kanë pasur "kontakte të afërta", por dëshmitë e tyre i përqendrojnë kryesisht në atë se kanë parë fluturake të shndritshme në forma ovale, të cilat fluturojnë me shpejtësi të pabesueshme. Ndër argumentet më të forta të tyre janë gjithashtu dëshmitë e astronautëve që fluturuan në hapësirë. Shumë prej tyre pohojnë se gjatë fluturimeve në hapësirat kozmike kanë qenë të përcjellë nga këto fluturake të çuditshme, të cilat nuk i ngjajnë asnjë fluturakeje që zotërojnë fuqitë më të mëdha botërore.
Maurice Chatelain - fizikan dhe matematikan i njohur, i cili ka drejtuar për një kohë të gjatë sektorin e informatave dhe rezultateve hulumtuese të anijeve "Apollo" dhe "Gemini" pranë Agjencisë amerikane për hulumtime në hapësirë (NASA), ndër të tjera shkruan se të gjitha fluturimet nga programi "Apollo" dhe "Gemini" kanë qenë vazhdimisht të përcjella nga fluturaket e paidentifikuara nga hapësira. Mirëpo, sipas rregullave të vendosura në NASA, kozmonautëve u ndalohej rreptësisht të jepnin opinione apo informacion për çdo lloj gjëje që mund të kishin parë lart në hapësirë. Përse? A mos ndoshta kozmonautët panë atje lart anije të huaja kozmike dhe NASA nuk dëshiron t'i bëjë publike këto informacione për shkak të ndonjë interesi apo sigurisë kombëtare? Sot ekzistojnë shumë fotografi, ku pjatat fluturuese shihen shumë qartë. Disa prej këtyre fotografive u dëshmuan me anë të ekspertizave si mjaft autentike, ndërsa një numër i madh i tyre u zbuluan se janë falsifikate të montuara në mënyrë mjeshtërore. Sidoqoftë, thonë shkencëtarët, nëse konsiderojmë se ka jetë në planetët e tjera, atëherë jemi të bindur se pjatat fluturuese janë një realitet dhe se vizitorët e huaj nga gjithësia janë duke na vizituar herë pas here për të shikuar dhe hulumtuar mundësitë se si të kontaktojnë me ne. Megjithatë, misteri i "pjatave fluturuese" ende mbetet enigmë dhe fshehtësi e pazbuluar dhe e paargumentuar me fakte bindëse dhe, si e tillë, derisa të argumentohet ekzistenca apo mosekzistenca e tyre, për shkencën dhe teknologjinë bashkëkohore kjo çështje mbetet një provokim serioz. |