 Orinda nuk është vetëm një artiste, prej pak kohësh ajo është kthyer në një personazh ekrani, pasi po drejton me sukses një emision në televizionin "Vizion Plus”.Këngëtarja pranon se kjo eksperiencë e re e afron më pranë profesionit të saj, pasi ndjek studimet për shkenca komunikimi,
ndërkaq është duke punuar për tre këngë të reja dhe një videoklip që do t’i serviren publikut së afërmi. Ndërkaq, edhe pse nuk preferon që të përmendë emrin e të dashurit, Orinda pranon se ndihet shumë mirë me të, madje pohon se ai është më i mirë nga djali që ka imagjinuar në ëndrrat e saj.
Për herë të parë Orinda pranon gjithashtu se ndarja artistike me Flori Mumajesin ka qenë krejt normale dhe se kënga "Play back”, e përfolur se aludohej për të, nuk ka asnjë lidhje personale, duke theksuar se fakti që kanë ndërprerë bashkëpunimin nuk do të thotë se ata janë grindur mes tyre. Shumë njerëz i referohen një momenti, kur edhe janë takuar me fatin, për sukseset e tyre. Cili është momenti kur nisi fati për ju?
Unë nuk jam takuar asnjëherë me fatin. Për çdo gjë të bukur që më ka ndodhur në jetë i jam mirënjohëse vetëm Zotit. Ai më ka dhënë gjithçka që kam në jetë. Aktualisht jeni duke drejtuar një emision, na flisni pak për çfarë bëhet fjalë?
Është një emision që flet për jetën e natës në Shqipëri. Është eksperienca ime e parë e prezantimit dhe po shkon mirë. Në krah kam dy prezantues e miq të mi, Klejvin dhe Ivën. Si ndiheni ndërsa praktikoni profesionin që tashmë keni studiuar, atë të gazetarisë?
Prezantimi është një pjesë e asaj çfarë kam studiuar dhe tani që po e vë në praktikë, ndjehem mirë. Edhe pse është shumë i shkurtër si emision, është eksperiencë e bukur. Po me këngën si shkojnë punët, cilat janë angazhimet aktuale në këtë drejtim? Punët po shkojnë shumë mirë. Jam duke punuar dhe pritet që të dalin tre klipe këtë verë. Këngët po i realizoj me Alban Kondin. Mezi po pres t’i rikthehem këngës. Keni realizuar ndonjë këngë të re që do të na shoqërojë ditët e nxehta? Po janë plot tre këngë dhe pretendoj që t’i publikoj këtë verë. Do jetë e nxehtë kjo verë dhe nuk besoj që mjafton vetëm një këngë. Balada "Oqean” u prit mjaft mirë nga publiku. Teksti prek ndopak jetën tuaj, apo është një tekst si gjithë të tjerët?
"Oqean” ka qenë vërtet këngë shumë e bukur e realizuar nga Alban Kondi, doktor Flori dhe Shpëtim Saraçi. U pëlqye shumë, por gjithsesi nuk ka asnjë lidhje me jetën time. Mua nuk më ndan asnjë oqean nga dashuria ime. Shpeshherë bënim shaka me motrën duke thënë se atë këngë e kisha bërë për atë, meqë ajo jeton larg. Por jo! Thjesht ka qenë zgjedhja e dr. Florit.
Është përfolur nëpër media se kënga e kënduar nga Flori Mumajesi "Play back” është dedikuar për ju. Cili është opinioni juaj për këtë gjë?
Unë akoma nuk e di se cila nga pjesët e asaj kënge përshtatet me mua. Unë kam dashur t’i qëndroj larg këtyre aludimeve, për më tepër di që kantautori e ka mohuar vërtetësinë e këtij lajmi. Fakti që ndërpremë bashkëpunimin, nuk do të thotë që jemi grindur.
Kur ndaheni paksa nga dy profesionet, si është dita juaj?
Shkollë, familje, shoqëri dhe shumë dashuri në fund!
Çfarë çmoni më shumë te jeta?
Jetën e çmoj shumë. Nuk bëj dallim mes gjërave që vijnë, gjithçka duhet provuar e çmuar në të njëjtën kohë.
Çfarë ju irriton më së shumti?
Papërgjegjshmëria, më irriton jashtë mase dhe e gjen te çdo njeri.
Çfarë vlerësoni te vetja, nga pamja e jashtme dhe brendësia?
Nuk mund të them çfarë vlerësoj, por mund të them që jam e lumtur me atë çfarë jam.
Si artiste udhëtoni shpesh jashtë shtetit, si i keni marrëdhëniet me kompanitë e fluturimeve?
Ah, unë ndahem mirë gjithmonë. Kur kam probleme me ta, unë duhet të dal gjithnjë me kokën time. Nëse ata gabojnë me mua, duhet ta zgjidhin menjëherë brenda orës. Eksperienca të këqija kam pasur vetëm me një kompani, të cilën e kam përmendur dhe më parë. Kompani totalisht e papërgjegjshme dhe e cila ka punësuar disa shqiptarë të paaftë në role kryesore. Turp!
Si e kaloni kohën në aeroplan?
Përgjithësisht mundohem të fle gjumë, sepse kam filluar të kem frikë nga avioni. Sa më shumë udhëtoj aq më shumë tmerrohem, ndaj zgjedh të marr një ilaç për gjumë dhe përpiqem të fle.
A ka trokitur njeriu i ëndrrave në zemrën e Orindës?
Është shumë ndryshe nga ai i ëndrrave, por është më i mirë nga sa mund ta ëndërroja.
Çfarë nuk duhet t’i mungojë në asnjë mënyrë "gjysmës” tënde?
Dashuria dhe përkushtimi.
Dhe fund, a do t’ia dedikoje ndonjë këngë atij, doje të ishte ajo, ritmike, baladë?
Do të më pëlqente, edhe pse do të duket pak e vështirë prej teksteve që nuk i bëj vetë. Nuk e di se çfarë rryme do ishte, por ritmike do më pëlqente më shumë. |