Edhe një bashkëpunim i ri mes këngëtares Rozana Radi dhe këngëtarit
Ramadan Krasniqi- Dani. Këtë herë ata kanë vendosur të vijnë më ndryshe,
me këngën "Beqare” të cilën do ta ripërpunojnë në studion e Adrian
Hilës.
Përveç saj Rozi tashmë karrierën e saj muzikore po e ndërton më
shumë në Kosovë, para disa javësh ajo është vendosur në shtëpinë e re
bashkë me të dashurin e saj Mc Kreshën. Më shumë rreth projekteve dhe
jetës private flet Rozana për "Zërin”.Çfarë ju shtyri që përsëri të bashkëpunoni me Danin?
Suksesi i bashkëpunimit të parë që patëm me këngën "Valsi i tradhtisë”
na shtyri që të realizojmë edhe një këngë bashkë. Tani po merremi me
këngën e re, me titull "Beqare”, një riorkestrim i një kënge tepër të
njohur më shumë në Kosovë të cilën do ta sjellim shumë shpejt në duet me
Danin. Riorkestrimi do të bëhet në studion e Adrian Hilës, do të
risjellim në një stil ndryshe krejt moderne këngën "Beqare”.
Mendoni se ky duet do të sjellë më shumë sukses se dueti paraprak?
Kjo është një këngë e vjetër e kënduar nga Dani shumë e njohur
në Kosovë dhe me një tekst të këndshëm. Ndërkohë le mos të flas shumë
për mënyrën se si do ta sjellim… le ta lëmë surprizë për publikun.
Sa ndjehet e kënaqur Rozana me sukseset e deri tashme?
Artisti merr gjithmonë satisfaksion kur dëgjon që punët e tij
janë pëlqyer. Mendoj që asnjëherë nuk kënaqet sepse kërkon më të mirën
nga vetja.
Keni ndonjë angazhim tjetër në këngë?
Po jam në përgatitje të albumit të ri, i cili do të ketë 12 ose
13 këngë. Në to do jenë kompozime të reja dhe këngë të riorkestruara.
Do të ketë bashkëpunime të ndryshme mendoj si me këngëtarë, kompozitorë
të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria. Ndërsa kënga "Beqare” të cilën do
ta lansojmë shumë shpejt me Danin do të ketë edhe videoklipin që
shpresojmë se do ta punojmë në Kosovë, me produksionin "Urban Graphik”.
Si duket tashmë Rozana pjesën më të madhe të kohës po e kalon në Kosovë pas lidhjes me Mc Kreshën, si po funksionon kjo lidhje?
Me Kreshën tashmë kemi hyrë në shtëpinë tonë të re në
Prishtinë. Jemi shumë të kënaqur se kemi bërë një ambient për qejfin
tonë. Plus karriera e Kreshës më gëzon pa masë, sepse tani ai është duke
punuar për albumin e tij që do të dalë shumë shpejt. Jam shumë e lumtur
për çdo arritje tonën.
Për faktin se tani po jetoni bashkë në shtëpinë e re tuajën, keni planifikuar fejesën apo martesën?
Më fal po nëse ne kemi zgjedhur të bashkëjetojmë ç’hyn fejesa
dhe martesa (qesh)? S’mund të flas njeriu për fejesa me 6 muaj lidhje,
kjo do ishte absurde. Mendoj se njerëzit duhet të njihen duke jetuar
bashkë.
Keni menduar se duke qëndruar ju dy bashkë papritmas mund të bëheni tre?
(Qesh), ne flasim për muzikën në shtëpi, ajo është prioriteti ynë në këto momente.
Jemi në prag të ditës së Shën Valentinit, që për ju është festa e parë me Kreshën, keni menduar ende për dhuratë?
Ne punojmë për Shën Valentinin si çdo festë tjetër. Mirëpo
Kreshës s’i pëlqen fakti që njerëzit bëjnë si të dashuruar vetëm ditën e
Shën Valentinit. Kur e kemi prekur si temë më thotë: ‘Unë Shën Valentin
e kam përditë me ty dhe pse duhet të pres një datë e një emër date për
të të dhuruar diçka’. Në fakt edhe unë jam shumë dakord me të, kështu që
për këtë datë nuk do të shkëmbejmë dhurata. Do të shkëmbejmë puthje
deri sa Zoti ta ketë shkruar që ne të jemi bashkë. |