 Vizita e kryeministrit Thaçi me kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan në Xhaminë e Madhe, ka impresionuar këdo. Për herë të parë kreu i PDK-së ishte parë publikisht në xhami dhe me duar kah qielli për t’iu lutur Zotit.
Por, njeriu që ligjëron për besimtarët e Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi, nuk dëshiron të besojë se Thaçi erdhi aty për fushatë zgjedhore, dhe i imponuar nga protokolli i Erdoganit. Ai i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit në largim, duke i bërë thirrje që të kthehet sërish në xhami, dhe” t’i kthehet rrugës së Allahut”.
"Nëse ke falë namaz për hir të Allahut ‘pirolla të qoftë’, a nëse ke falë namaz për hatër të Erdoganit, ai namaz nuk na duhet neve e as që të kryen ndonjë punë ty fare, por nëse ke falë namaz për shkak të fushatës zgjedhore edhe kjo nuk do të kryej punë, ngase qeveria juaj komplet në krye me ju e keni humbur besimin tek muslimanët të cilët ta kanë dhënë votën dhe të cilët falin namaz. Ata më nuk do të gabojnë, sepse votat e tyre i ke të humbura me emër te Allahut, sepse ju zotëri i keni deshpëruar në veçanti pas ndalimit të shamisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme. ", thuhet në letër.
Aty thuhet se vetëm Zoti e di nëse Thaçi do të marrë pushtetin sërish pas 12 dhjetorit. "Ajo çka është me rëndësi rrjedh nga fakti që ti rikthehesh Allahut, prapë t’ia mësysh xhamiave, ku tashmë e mësove Xhaminë e Madhe. Pra, e theve akullin, i re Allahut në sexhde, dhe tash bëhu musliman i mirë e i devotshem ku do të jeshë i lumtur në këtë botë dhe në botën tjeter. Ju lutem jepjau muslimanëve të drejtat e tyre që u takojnë me ligj dhe me Kushtetutë, sepse në bazë edhe të parimit njerëzor e demokratik i meritojnë.”, përfundon letrën e hapur Krasniqi. |