Regjisorja është e kujdesshme që dhe në intervistat e dhëna së fundmi nuk i përmend 61 vitet.
Sikur ta kishin pyetur me siguri që Vera Grabocka nuk do kishte dashur
kurrë ta fusnin në listën e personaliteteve që trajtohen me pensione
speciale nga qeveria shqiptare.
Jo vetëm sepse është në formë të shkëlqyer fizike dhe duket shumë
larg asaj fjalës vrastare "pension”, por edhe për faktin se është ende
mjaft aktive në punën e saj si regjisore spektaklesh të mëdha
televizive, së fundmi në megaproduksionin e televizionit Klan "X
Factor”.
Por mesa duket askush nuk e ka pyetur. Dhe hartuesit e Vendimit të
Këshillit të Ministrave, miratuar në mbledhjen e të mërkurës, kanë
menduar se nuk kishte si të mbetej jashtë listës prej 15 emrash të
artistëve e shkrimtarëve dhe një emër si ky i Grabockës. Në vendimin "Dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror”, mes
personaliteteve të artit,kulturës dhe të historiografisë e shkencës
shqiptare Vllasova Musta, Ermir Krantja, Zyliha Miloti, Vladimir Prifti,
Gulielm Radoja, Zef Shoshi etj, spikaste emri i Vera Grabockës. Për
arsyen e thjeshtë, sepse pamja e saj fizike nuk e tregon aspak moshatare
me asnjë nga personalitetet e mësipërme.
Përkundrazi, shfaq një freski të admirueshme dhe forma fizike që me
siguri duhet t’ia kenë zili edhe konkurrentët njëzetëvjeçarë të
"Faktorit X”. Prej tre vjetësh Vera Grabocka është bërë gjyshe. Vajza e
saj Linda që jeton në Amerikë është nënë e dy djemve të vegjël, duke e
bërë Grabockën gjyshe. Regjisorja nuk e ka fare kompleks këtë fakt,
përkundrazi, është mjaft e lumtur që po shijon këtë rini të dytë me
nipërit në krah.
Ndonëse është e kujdesshme që dhe në intervistat e dhëna së fundmi
nuk i përmend 61 vitet. Dhe as atë fjalën pension, sepse është aktive si
gjithmonë. Dhe me siguri nëse do e kishin pyetur, kurrsesi nuk do
pranonte të "nderohej” nga qeveria me pensionin suplementar. |